Agjencia Telegrafike Shqiptare

DUBLIN – Mijëra protestues marshojnë në mbështetje të palestinezëve

DUBLIN, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Dublinit në shenjë solidariteti me palestinezët dhe kundër veprimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Protestuesit u mblodhën në Kopshtin e Kujtesës përpara se të marshonin me pankarta dhe flamuj palestinezë në sheshin Merrion.

Është e dyta fundjavë radhazi që në kryeqytetin irlandez zhvillohet një demonstratë e gjerë në mbështetje të palestinezëve, ndërsa javën e kaluar pati edhe një tubim dhe marshim të organizuar nga Aleanca Irlandeze e Izraelit (IIA) në mbështetje të Izraelit.

Rripi i Gazës është bllokuar dhe bombarduar nga Izraeli pasi sundimtarët e tij të Hamasit nisën një seri sulmesh terroriste më 7 tetor.

Të shtunën, kalimi kufitar Rafah me Egjiptin u hap për të lejuar aksesin e ndihmës për palestinezët në Rripin e Gazës, të cilëve u mungon ushqimi, ilaçet dhe uji.

Turma doli gjithashtu në Irlandën e Veriut në një marshim të organizuar nga “Belfast Stands with Palestine”. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version