Agjencia Telegrafike Shqiptare

Restaurohen 4 kisha e manastire në Voskopojë dhe Vithkuq

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Restaurohen 4 kisha e manastire në Voskopojë dhe Vithkuq.

Lajmin e dha kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku solli edhe fotot e objekteve të restauruara.

Katër kishat janë: Kisha e “Shën Marisë” dhe “Shën Mhillit”, si dhe Manastiri i “Shën Prodhromit” dhe “Shën Pjetrit”. Këto objekte i janë nënshtruar një restaurimi të plotë, pasi si pasojë e kohës së gjatë të ndërtimit dhe faktorëve atmosferikë ishin dëmtuar dhe kërkonin ndërhyrje restauruese.

Krahas ndërhyrjeve në strukturë një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe restaurimit të pikturave murale, të cilat kanë pësuar dëmtime.

Voskopoja dhe Vithkuqi janë ndër fshatrat më të bukur turistikë në Korçë, me një pasuri të rrallë kulturore, të cilën e dëshmojnë edhe kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike dhe artistike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version