Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK, njësi të përbashkët hetimore​ me Prokurorinë e Kosovës

PRISHTINË, 10 tetor/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kanë nënshkruar sot në Prishtinë një marrëveshje duke formuar Njësinë e Përbashkët Hetimore, të përbërë nga prokurorë të posaçëm të të dyja prokurorive përkatëse.

Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje mes dy krerëve të prokurorive parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani dhe Kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj e kanë vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë.

Nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version