TIRANË, 6 tetor /ATSH/ I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner u takua me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu për ta uruar për postin e saj dhe për të pohuar mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për programet e arsimit në Shqipëri, veçanërisht mësimin e gjuhës angleze.
Tre pedagogë të rinj të gjuhës angleze kanë ardhur për të ndihmuar në mësimdhënien në universitetet publike në Tiranë, Durrës dhe Korçë këtë vit akademik dhe për herë të parë, dy mësues ndihmës Fulbright të gjuhës angleze janë në Shqipëri për të mbështetur përpjekjet e mësimdhënies së anglishtes në Tiranë dhe Gjirokastër, bëri të ditur Ambasada e SHBA.
Ata diskutuan gjithashtu punën e jashtëzakonshme që ka bërë Korpusi i Paqes për të nxitur mësimin e anglishtes në të gjithë vendin.
Këto përpjekje do të forcohen nga 35 vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes që mbërritën në Shqipëri këtë javë, theksoi Ambasada e SHBA.
/r.e/
