TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Kreu i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha tha sot duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit se kryefjala e parlamentit sot duhet të ishte deklarata e turpshme që ka bërë Edi Rama për veriun e Kosovës ku tha se, Kosova është shndërruar në tokën e askujt.
“Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë”, tha Berisha.
“Po për se e derdhi gjakun, fali jetën për t’u bërë i pavdekshëm Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli. Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandër Vuçiçi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Se sa ishte ‘no mans land’ e provuan falangat kriminale terroriste serbe. Shqiptarët, Europa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, sepse ajo është toka e zotërve të saj”, tha Berisha.
“Ndaj këtu debati duhet të fillojë me urgjencë për këtë deklaratë që nuk e bën jo vetëm Aleksandër Vuçiçi, por e bën edhe pengu i tij, e dhe bën argati i tij, që quhet Edvin Kristaq Rama”, tha Berisha, duke shtuar se kjo deklaratë armiqësore nuk është bërë kurrë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën.
Berisha tha se, kjo deklaratë e turpshme u bë pas një jave kur toka e veriut të Kosovës u la me gjak nga njeriu që deshi ligjin.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, NATO ka refuzuar me përçmim të plotë një deklaratë të tillë të Vuçiçit.
/r.e/
