Agjencia Telegrafike Shqiptare

KIEV – Stoltenberg: Progres në kundërsulmin e Ukrainës

KIEV, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij të dytë në Ukrainë që nga pushtimi rus në shkurt të vitit të kaluar.

Gjatë një konference për shtyp, Stoltenberg tha se trupat ukrainase po fitojnë terren në kundërofensivën kundër pushtuesve rusë.

“Çdo metër që forcat ukrainase rifitojnë është një metër që Rusia e humb. Dhe ka një kontrast të fortë, ukrainasit po luftojnë për familjet e tyre, të ardhmen e tyre, lirinë e tyre. Moska po lufton për iluzionet perandorake”, tha ai.

Zelensky njoftoi një dokument të ri të përbashkët që përcakton hapat praktikë që duhet të marrë Ukraina për të arritur standardet e NATO-s.

Qeveria e tij prej muajsh ka bërë presion që Ukraina të bëhet një anëtare e plotë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian pasi të përfundojë lufta me Rusinë.

Në korrik, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord për t’i bërë një ftesë Ukrainës për t’u anëtarësuar, por, për zhgënjimin e Kievit, nuk dhanë një afat kohor konkret.

“Ukraina tani është më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha Stoltenberg./ /a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version