Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Beratit

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se ka nisur ndërhyrja restauruese në Kalanë e Beratit.

Aktualisht janë duke u bërë punime në kullat 11, 12 dhe 13 si dhe në kurtinat midis tyre, të cilat po i nënshtrohen punimeve restauruese.

Me investim të Buxhetit të Shtetit, nën mbikëqyrjen e IKTK, ndërhyrjet restauruese në to përfshijnë konsolidimin e muraturës, përmes injektimit të llaçit hidraulik, si edhe konsolidimin e kreut të muraturës. Gjithashtu po plotësohen edhe zgavrat e krijuara nga shkëputja e gurëve në mure. Edhe mjedisi përreth po pastrohet e sistemohet.

Kalaja e Beratit qëndron që prej shekullit IV para Krishtit, majë një kodre, po aq madhështore sa edhe delikate, duke qenë si një kurorë e qytetit të lashtë. Nga oborri i fortifikuar i kalasë shihet i gjithë qyteti i Beratit, lumi Osum dhe ura e vjetër e Goricës. Një udhëtim në Berat nuk do të kishte kuptim pa vrojtimin e peizazhit nga lartësia e kalasë. E qarkuar me mure prej guri, me 24 kulla vrojtimi, Kalaja e Beratit është nga më të bukurat në Shqipëri. Nga romakët, ajo u quajt Fortesa e Arbërve ndërsa, në vitin 216 para Krishtit, ajo u përmend me emrin e lashtë Antipatrea.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version