TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Ministrja e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, e pranishme në ministerialin e Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian në kuadër të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Tiranë, e nisi fjalën e saj me ngjarjen e së dielës në veri të Kosovës.
Sipas saj, sulmi terrorist që i mori jetën një oficeri të Policisë në krye të detyrës në Kosovë, duhet të dënohet nga të gjithë.
“Jam e tronditur nga sulmi në veri të Kosovës që la një policë të vrarë në krye të detyrës dhe një tjetër të plagosur. Procesi i Berlinit luan një rol të rëndësishëm edhe për ruajtjen e paqes në rajon. Kësisoj, pres që ky sulm terrorist që synon të destabilizojë Kosovën dhe rajonin të dënohet nga të gjithë ne”, nënvizoi ajo.
Më tej, duke folur për bashkëpunimin rajonal në fushën e ekonomisë, ajo vuri theksin tek ulja e burokracive dhe lehtësimi i barrierave kufitare për të rritur më shumë bashkëpunimin mes vendeve.
Hajdari në fjalën e saj, nënvizoi gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar në tregun e përbashkët rajonal, si rruga për të rritur mirëqënien e qytetarëve të saj.
“Republika e Kosovës shquhet si një vend me mundësi shumë të mëdha për investime që sjellin kompani, si për shembull një shtet i fortë i së drejtës, një vendndodhje strategjike, autostrada dhe aeroporte moderne. Politika fiskale miqësore me rritjen e biznesit dhe një popullsi shumë e re, që është një nga burimet më të vyera për zhvillimin social, ekonomik dhe integrimin në BE”, tha Hajdari.
“Në 2021-shin patëm 10.7 % rritje ekonomike. Në vitin 2022, patëm 5.2 % rritje ekonomike. Eksporti i mallrave u rrit me 23 % në 2022 dhe me 31.2 % rritje në eksportin e shërbimeve falë rinisë sonë të talentuar në sektorin e Teknologjisë së Informacionit. Çka është më e rëndësishme është se investimet e drejtpërdrejta të huaja (IDH) u rritën me 83 % në krahasim me vitin 2021”, u shpreh ministrja e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë në Kosovë.
“Kosova është performuesja më e mirë në rajon, sipas raportit global për shtetin e së drejtës. Vetëm vitin e shkuar kemi hartuar politika industriale, tregtare, të mbështetur në legjislacionin dhe praktikat e organizatës botërore të tregtisë dhe BE. Kemi miratuar 16 ligje për të çliruar potencialin e sektorit privat dhe për të rritur garancitë për investuesit për të pasur praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, me qëllim që sektori i privat të jetë nxitësi kryesor për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit”, nënvizoi ajo.
“Kosova është e vetëdijshme se procesi i tregut të përbashkët është një sfidë në vetvete. Kosova ka shumë potencial për ta tejkaluar këtë pengesë. Në këtë kuptim është e qartë se vendi ynë ka zbatuar marrëveshjen e CEFTA-s, që prej vitit 2007, kur ajo hyri në fuqi”, vijoi Hajdari.
“Në realitet, Kosova nuk ka përfituar në shkallën e pritshme, pasi sistematikisht përballet me barrierat tregtare, qoftë për produktet bujqësore, ose jobujqësore. Përkatësisht Bosnjë Hercegovina, Serbia dhe shpresoj jo më shumë se kaq. Më tej, regjistrimi i automjeteve nuk njihet nga Serbia dhe dokumentet e eksportit po ashtu”, tha Hajdari.
Sipas ministres së Ekonomisë në Kosovë, duhen veprime asnjanëse dhe të papolitizuara, për të mos pasur vendime asimetrike të padrejta.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar të përmbushë të gjitha aktivitetet që lidhen me tregun e përbashkët që rrjedhin nga Procesi i Berlinit në mënyrë të barabartë. Besohet gjerësisht se duke qenë pjesë e tregut të përbashkët, Kosova dhe tregu mund të thithë më shumë investime dhe të nxisë zhvillimin e ekonomisë së vendeve tona. Si qeveri, jemi të interesuar të kapitalizojmë mbi mundësitë, që vijnë përmes një bashkëpunimi më të afërt politikë dhe ekonomik për një të ardhme më të mirë t qytetarëve tanë dhe për një të ardhme më të mirë në BE”, deklaron Hajdari, duke nënvizuar se Kosova është e angazhuar në mënyrë të palëkundur në drejtim të Procesit Berlinit dhe integrimit në BE.
/r.e/
