Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kontrabandë mallrash me postë private, 2 në pranga në Tiranë

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Policia e Tiranës arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim administratorin e një pike poste private, pasi akuzohen për kontrabandë mallrash. Gjatë operacionit u sekuestruan 204 pako me mallra të ndryshme të kontrabanduara, me vlerë rreth 15 000 euro.

Policia njofton se operacioni i koduar “Delivery 2”, është finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Delivery 2″”, njoftoi Policia.

“Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit Xh. Z., 28 vjeç dhe F. B., 28 vjeç, banues në Tiranë, punonjës të një poste private. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. S., 30 vjeç, banues në Tiranë, administrator i kësaj poste”, bëri të ditur Policia.

“Në rrugën “5 Maji”, gjatë kontrollit të magazinave të postës private me administrator shtetasin L. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 204 pako me mallra të ndryshme, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave”, përfundoi njoftimi i Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version