Agjencia Telegrafike Shqiptare

Java Kulturore e Azerbajxhanit, koncert, ekspozitë dhe kulinari në kryeqytet

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Java Kulturore e Azerbajxhanit solli mbrëmjen e djeshme  në kryeqytet një sërë aktivitetesh.

Në sheshin “Skënderbej” u zhvillua performanca e Orkestrës Shtetërore të Dhomës së Azerbajxhanit, “Gara Garayev”, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Artistët e orkestrës “Gara Garayev” sollën për të pranishmit muzikën e dhomës të ndërthurur me elementë tradicionalë.

E emëruar sipas kompozitorit të njohur azerbajxhanas Gara Garayev, historia e kësaj orkestre lidhet ngushtësisht me veprimtarinë e kompozitorit, i cili solli një model të emancipuar muzikor në Azerbajxhan.

Në Muzeun Historik Kombëtar artdashësit vizituan ekspozitën “Heydar Aliyev-100”.

Ndërsa në sheshin “Skënderbej” dhe në shëtitoren “Murat Toptani”, u prezantua kulinaria e Azerbajxhanit, veçanërisht ëmbëlsirat tradicionale.

Java Kulturore dedikuar kushtuar kulturës së Azerbajxhanit do të vijojë me aktivitete të tjera  deri në 3 shtator.

Foto: Agim Dobi

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version