Agjencia Telegrafike Shqiptare

Norma bazë e interesit për bonot e thesarit e qendrueshme

TIRANË, 30 gusht /ATSH/ Yield-et e bonove 12-mujore shënuan qëndrueshmëri në ankandin e fundit të muajit gusht, teksa regjistrojnë nivelin më të ulët krahasuar me vitin e kaluar.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore rezultoi në nivelin 3.15%, nga 3.16% që ishte në ankandin e mëparshëm.

Në ankandin e zhvilluar të martën, u shitën 7.2 miliardë lekë, ndaj ofertës në vlerë totale prej afërsisht 10 miliardë lekësh.

“Në muajin qershor, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore preku nivelin minimal vjetor prej 3.09%, shumë afër normës bazë të interesit. Më tej, gjatë korrikut dhe gushtit, u shënua një rritje e leht[  por në përgjithësi ecuria e yield-it ka qenë e qëndrueshme”, bën të ditur BSH-ja.

Sipas BSH-së, rënia e ndjeshme e yield-eve këtë vit është ndikuar nga kërkesa e lartë dhe frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Leku i fortë në kursin e këmbimit dhe politika fiskale shtrënguese i kanë mundësuar ekonomisë kushte monetare ndjeshëm më të çliruara krahasuar me pjesën dërrmuese të ekonomive të Europës.

Yield-i bonove 12-mujore është një tregues i rëndësishëm referues edhe për kreditimin në lekë të sektorit privat. Në përgjithësi, kreditë afatgjata kanë një normë interesi që ndërtohet bazuar në ecurinë e yield-it të bonove 12-mujore plus një marzh fiks.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version