Agjencia Telegrafike Shqiptare

ISHSH: 72 masa administrative për subjektet akomoduese

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ISHSH me qëllim garantimin e një sezon turistik sa më të sigurt në aspektet higjieno-sanitare, deri më 10 gusht ka inspektuar 1110 subjekte akomoduese.

Sipas ISSH për subjektet e konstatuara në shkelje janë vendosur 72 masa administrative.

Objekti i inspektimeve në këto subjekte është dokumentacioni i detyruar sipas legjislacionit në fuqi: aktmiratimi higjieno-sanitar; dokumentacioni vërtetues për kryerjen e shërbimit të dezinfektimit, raport analiza e ujit të pijshëm që furnizon subjektin; kontrata për zbrazjen e gropave septike me subjekte të licensuara (për subjektet që i derdhin ujërat e zeza në gropa septike).

Po ashtu subjektet duhet të kenë kontrata me një mjek të licensuar (me kohë të pjesshme apo të plotë) për kontrollin shëndetësor të punonjësve, librezat shëndetësore të punonjësve, raportet mjeko-ligjore të punonjësve (KML).

Njëkohësisht subjektet duhet të jenë të pajisura me rregullore dhe person përgjegjës për zbatimin e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i ndryshuar; logo për ndalimin e duhanit në mjediset e brendshme; logo në formatin A4 për ndalimin e alkoolit për personat nën 18 vjeç; logo në formatin A4 për ndalimin e shitjes së pijeve energjike për personat nën 18 vjeç.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version