Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mbi 17 mijë biznese kanë dorëzuar pasqyrat financiare dhe raportet e auditit

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se deri tani kanë dorëzuar pasqyrat financiare dhe raportet e auditit 17 479 biznese.

Data 31 korrik është edhe afati i fundit për bizneset për dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore.

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) u rikujtoi bizneseve se u kanë mbetur edhe vetëm 19 ditë kohë për regjistrimin dhe depozitimin e pasqyrave financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit.

Në të kundërt, ligji parashikon aplikimin e sanksionit administrativ gjobë prej 15 mijë lekësh.

Pavarësisht formës së tyre ligjore, depozitimin e akteve të mësipërme duhet ta kryejë çdo subjekt i regjistruar në Regjistrin Tregtar, kur këto subjekte kanë detyrimin e hartimit të tyre.

Shërbimi online “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj)” mund të përdoret nga të gjitha subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj në e-Albania.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version