TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Fran Tuci, ish-kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit është arrestuar nga Policia e Shtetit mbrëmjen e të mërkurës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat sot nga SPAK, bëhet me dije se Tuci akuzohet për “shpërdorim detyre”. Ai akuzohet se ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 234 milionë lekësh nga fondi pyjor. Po ashtu, me urdhër të SPAK është ndaluar dhe administratori i njësisë së Fushë-Arrëzit, i cili është lënë në ‘arrest shtëpie’, ndërsa fadromisti është lënë në masën “detyrim paraqitje”.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 83 të vitit 2023, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës””, njofton SPAK.
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 83 datë 12 korrik 2023 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në burg”, për personin nën hetim Fran Tuci, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. SPAK po ashtu vendosi, caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, për personin nën hetim N. M, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim,
SPAK gjithashtu ka vendosur, caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për personin nën hetim D.M., si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Shkatërrimi i pronës””, njofton SPAK
Sipas njoftimit, “Policia Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datat 12.07.2023 dhe 13.07.2023, masat e sigurimit të caktuara ndaj shtetasve Fran Tuci dhe N. M. Ndërkohë vijon procedura e ekzekutimit të masës së sigurimit të caktuar ndaj shtetasit tjetër në hetim D. M”.
“Pas përcjelljes së akteve procedurale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Pukë, për shkaqe kompetence lëndore, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 67 të vitit 2023, me objekt hetimi procedurën e ndjekur për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të bashkisë Fushë-Arrëz. Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të bashkisë Fushë-Arrëz, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cenuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor”, vijon SPAK.
“Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të bashkisë Fushë-Arrëz”, vijon njoftimin SPAK.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se ish-titullari i bashkisë Fushë-Arrëz, shtetasi Fran Tuci, në bashkëpunim me ish-administratorin e njësisë administrative Iballë, shtetasin N. M., me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pa miratuar më parë nga autoritetet kompetente. Punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor është provuar të jenë kryer nga shtetasi D. M., administrator i një subjekti tregtar privat. Ky shtetas, duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të bashkisë Fushë-Arrëz”, përfundon SPAK.
/r.e/
