Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK kërkesë Kuvendit për arrestimin e Ahmetajt, reagon opozita

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.

Bardhi u shpreh se, “kërkesa për të çuar Arben Ahmetaj para drejtësisë për aferën korruptive të inceneratorëve është një veprim i drejtë, por i vonuar dhe i paplotë”.

“SPAK duhet t’i shkojë deri në fund, duke bërë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm deri tek kreu i aferës korruptive, Edi Rama”, theksoi Bardhi.

“Së bashku, ata kanë kryer disa nga veprat më monstruoze të korrupsionit qeveritar në 3 dekadat e fundit”, shtoi ai.

“I kërkoj kryetares së Kuvendit të mbledhë pa vonesë sot Këshillin e Mandatave. SPAK-ut i duhet dhënë menjëherë akses për kontrollin personal dhe të banesës së ish-zv/KM”, shkroi Bardhi në një postim në rrjetet sociale.

Edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi reagoi pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.

“Lajm i fundit: SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetaj, ish-Zv/Kryeministër. Të arrestuarit venë e vijnë, ndërsa PAGESAT vetëm venë. Follow the money… SPAK mos harro të ndalosh edhe pagesat e Bashkisë Tiranë!”, shkroi Kryemadhi në një postim në rrjetet sociale.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version