Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lufta ndaj krimit të organizuar, Dumani vizitë në Britaninë e Madhe

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, në datat 4 dhe 5 korrik 2023 zhvilloi një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar, ku pati takime me përfaqësues të lartë të Home Office, National Crime Agency, Crown Prosecution Service dhe Foreign Office.

Sipas një njoftimi të SPAK, në këto takime u diskutua rritja dhe forcimi i bashkëpunimit të SPAK me agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Dumani nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite për prezantimin e strategjisë por dhe nevojës për mbështetje të SPAK nga autoritetet zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar në përmbushjen e objektivave dhe synimeve të saj të cilat i shërbejnë interesave të përbashkëta të të dy vendeve.

Dumani cilësoi rritjen e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar kryesisht në ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore, hetimeve paralele, shkëmbimin e të dhënave dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore në hetimin financiar.

Autoritetet zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar shprehën konsideratat e tyre për rolin dhe punën e rëndësishme të SPAK dhe shprehën angazhimin për të parë mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis SPAK dhe agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.

Të gjitha palët e konsideruan këtë vizitë pune mjaft të suksesshme në përmbushjen e objektivave të përbashkëta. Drejtuesi i SPAK, falënderoi organizatorët e këtyre takimeve dhe veçanërisht përfaqësuesit e lartë të Home Office dhe Ambasadës britanike në Tiranë, për krijimin e kësaj mundësie dhe për besimin e dhënë SPAK në vendosjen e një partneriteti afatgjatë midis tyre.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version