TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit në kampin e muxhahedinëve në Manzë ditën e martë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nxitur debate në nisje të punimeve të seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Ishte kryetari i Grupit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha, i cili kërkoi ndryshimin e rendit të ditës, ndërsa i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçit që të jepte dorëheqjen.
“Ndjehem sot muxhahedin, sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie. Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme që lexuat, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran. Ndaj kërkoj largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm. Kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra për t’u bërë i pavdekshëm”, tha Berisha në çeljen e seancës plenare.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në përgjigje të Berishës, tha se ndryshimi i rendit të ditës ka procedura të caktuara, që për rastin konkret nuk janë respektuar nga kërkuesi, e kësisoj sipas tij, duhet që Kuvendi të vijojë punën sipas rendit të ditës.
“Ka një formë për prezantimin e kërkesave për ndryshimin e rendit të ditës, ato paraqiten përpara seancës. Nuk ka patur kërkesë të tillë përpara seancës. Sali Berisha që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia shqiptare, bën të njëjtën gjë sa herë që drejtësia bën detyrën e vet. Kuvendi i Shqipërisë as nuk mund të përfshihet dhe as nuk mund të ndërhyjë në çështje që i takojnë vetëm drejtësisë. Koha kur politika apo vetë Kuvendi përfshihej në çështjet e drejtësisë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në themelet që po ngrihet drejtësia e re. Kjo është një çështje ku Policia e Shtetit ka zbatuar vendimin dhe urdhrin e SPAK”. nënvizoi Balla.
“Policia e shtetit ka zbatuar fjalë për fjalë vendimin dhe urdhrin e prokurorisë, në rastin në fjalë të SPAK, që është një prokurori që të gjithë kemi besim”, vijoi Balla.
“Ky personi që sapo foli, bën korbin, bën skifterin, ndërsa ne na duhet të vijojmë me rendin e ditës. S’mund të hedhim në votim diçka që nuk ekziston. Ka një procedurë, një model, s’ka nevojë për votim. Ecim me çështjet e rendit të ditës”, tha Balla.
Kërkesë për ndryshim të rendit të ditës kishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu. Ai kujtoi edhe një herë se prej kohësh ka kërkuar që Kuvendi të diskutojë dhe miratojë rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
/r.e/
