TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Në bashkinë e Durrësit u zhvillua sot konstituimi i këshillit bashkiak, ku u zgjodh kryetari i tij Ani Dyrmishi, dy zëvendëskryetarët dhe përfaqësuesit në këshillin e qarkut Durrës.
Në fjalën e saj në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako shprehu besimin se së bashku me të gjithë anëtarët e këtij këshilli bashkiak do të punojë në funksion të interesave të qytetit dhe qytetarëve.
“Falënderoj të gjithë qytetarët e Durrësit për besimin dhe i garantoj se do të vazhdojmë punën për transformimin e qytetit tonë, drejt një qyteti turistik evropian”, theksoi Sako.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se “kjo detyrë është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe që më jep mundësinë t’i shërbejmë me përkushtim e pasion qytetit dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit, pa asnjë dallim”.
“Kam detyrimin t’i shkoj deri në fund të gjitha angazhimeve që kemi marrë përpara qytetarëve. Jam krenare që të gjithë së bashku do të jemi bashkudhëtarë në një etapë të rëndësishme të zhvillimit të qytetit tonë, përmes projekteve madhore”, tha Sako.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani, i cili i uroi këshilltarët për detyrën e re duke vënë në dukje rëndësinë e madhe që ka ky këshill në vendimmarrjet e tij.
Ai shprehu bindjen se këshilli bashkiak dhe kryetarja Sako do të kenë në kryefjalën e punës së tyre mirëqenien e komunitetit dhe kthimin e bashkisë Durrës në një bashki evropiane.
/k.s/r.e/
