Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: E marta e 13-të nga kisha e Shën Ndout

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Në kishën e Shën Ndout në Laç mbyllet sonte pelegrinazhi i përvitshëm i 13 të martave.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ky pelegrinazh ku mijëra qytetarë janë drejtuar vendit të shenjtë, pavarësisht besimeve të ndryshme fetare.

“E marta e 13-të nga kisha e Shën Ndout”, shkruan Rama.

Janë 13 të marta që respektohen nga besimtarët për të mbërritur deri në ditën e Shën Ndout. Pelegrinë të shumtë i drejtohen çdo të martë këtij vendi të shenjtë për të gjetur ngrohtësi shpirtërore, duke drejtuar lutjet e tyre për qetësi, shëndet, harmoni dhe begati.

Pelegrinët janë nga çdo skaj i vendit dhe përfaqësojnë besime të ndryshme. Ata besojnë tek mrekullitë e Kishës së Laçit, ndaj edhe e frekuentojnë.

Mijëra persona udhëtojnë çdo të javë drejt kishës së Shën Ndout në Laç deri në ditën e 13 qershorit, kur është dhe festa e këtij shenjti dhe numri i pelegrinëve shkon mbi 1 milion.

Kisha e Shën Ndout daton që nga shekulli XIII dhe objekti i rëndësishëm i kultit mori famë për shkak të Shën Ndout, një predikues i njohur katolik.

/k.s/ /gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version