Agjencia Telegrafike Shqiptare

Basha, takim në Kamzë: Koha që demokratët të ulin thikat

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha takoi sot të reja dhe të rinj të Kamzës me të cilët u bashkuan edhe anëtarë e kontributorë të Partisë Demokratike.

“Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathtë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum”, u shpreh Basha në takim.

“Ata do mundohen të na pengojnë. Ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë duan që Shqipëria të mbetet në duart e atyre të treve, siç ka qenë për mbi 30 vite. Por më 14 maj shumica i ka kthyer kurrizin treshes, dhe kjo i ka shqetësuar, prandaj kanë hapur sërish thesin e mashtrimeve, që i thonë sot e i përgënjeshtrojnë po vetë nesër”, tha Basha.

“Unë kam vetëm një përgjigje për ata, dhe këdo që u beson atyre. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe më pas me ata, fëmijët dhe familjarët e tyre. Të shohim, a i justifikojnë apo jo. Ky është vetingu i politikanëve. Këtë s’e duan, sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon axhendën e tyre”, vijoi Basha.

Basha vuri në dukje se është koha që demokratët të ulin thikat, “duke filluar nga ai që i ngriti i pari, sepse e kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh”.

“Unë e mora vendimin tim! Vendosa të sakrifikoj veten në interes të demokratëve, duke duruar edhe gjithfarë mashtrimi. Ai ka bërë të kundërtën, sakrifikoi interesin e demokrateve për interesat e tij personale. Për këtë, çdo ditë e më shumë, koha po na jep të drejtë”, tha Basha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version