Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Plani Kombëtar i Pastrimit do të vazhdojë pa u ndalur

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Plani Kombëtar i Pastrimit po vijon në të gjithë territorin, sidomos në zonat turistike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga aksioni i pastrimit, në Skrapar, Durrës, Belsh, Tepelenë, Kukës, Përmet dhe Patos.

Rama falënderoi të gjithë qytetarët dhe institucionet e angazhuara në këto aksione, të cilët janë bërë bashkë për një mjedis më të pastër.

“Plani Kombëtar i Pastrimit vijon si punë përditshme në gjithë vendin dhe do të vazhdojë pa u ndalur, sidomos tani edhe në nisje të sezonit turistik, ku flukset e vizitorëve, siç tregojnë të dhënat, do të jenë në nivele rekord”, theksoi Rama.

Gjatë vitit 2022, falë këtij aksioni, u pastruan mbi 126 mijë tonë mbetje.

Plani Kombëtar i Pastrimit rrënjësor të Shqipërisë nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe përfshiu të gjitha qytetet e vendit.

Ky plan është një ndër angazhimet kryesore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me qëllim menaxhimin e integruar të mbetjeve, së bashku me miratimin e ligjit për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimëshme, mbështetjen e katër bashkive bregdetare me dyfishim të forcave të pastrimit përgjatë sezonit turistik, si edhe rehabilitimin e shumë vend depozitimeve në territor që ishin shndërruar në gangrena mjedisore.

/k.s/ /gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version