TIRANË, 16 maj /ATSH – I. Vata/ Partia Socialiste falënderoi sot për mbështetjen në mori në bashkitë e qarkut të Vlorës.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun të Vlorës, Blendi Klosi në prezantimin e kandidatëve fitues deklaroi se qarku i Vlorës ka dyfishuar votat nga dy vite më parë.
“Vlora është zemra e Partisë Socialiste, dhe PS ka zemrën në Vlorë. Të 7 kandidatë tanë garuan së bashku me mijëra socialistë. Garuan së bashku me njerëz të thjeshtë, njerëz të zakonshëm dhe gjetën mbështetje në çdo shtëpi vlonjate, dhe bashkitë ku njerëzit mbështesin Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Të shtatë kandidatë tanë morën rezultat spektakolar dhe dolën më mirë se pritshmëritë tona. Të 7 kandidatët tanë dolën me vota sa rezultati i dy vite më parë dhe kjo na bën për t’u thënë të gjithë socialistëve vlonjatë, në të 7 bashkitë falënderime për atë çfarë ata bënë”, tha ai.
Ai tha se “kam ardhur këtu bashkë me ekipin fitues të Vlorës, natyrisht pa ne është kandidati i Himarës, i cili me gjithë se nuk fitoi mori rezultat më të mirë se 2 vite më parë”.
Po ashtu, Klosi prezantoi kryebashkiakët e ardhshëm të qarkut Vlorë. Bashkia Vlorë Ermal Dredha, Bashkia Selenicë Nertil Bellaj, Bashkia Delvinë Besmir Veliu, Bashkia Finiq Romeo Çakulli, Bashkia Konispol Ergest Dule, Bashkia Sarandë Olti Çaçi, ndërsa në Bashkinë Himarë kandidoi Jorgo Goro.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku i ardhshëm i Konispolit Ergest Dule tha se edhe Konispoli e realizoi misionin e vet në pjesën e projeksionit plus 50 bashki.
“Jemi pikërisht këtu për të shpallur rezultatin tonë fitues. Banorët e e Konispolit dinë të vlerësojnë punët e mira, dinë të vlerësojnë investimet e qeverisë dhe për këtë na votëbesuan. Falënderoj çdo banor që më dha mundësinë të jem drejtues i bashkisë Konispol”, tha ai.
Kryetari i ardhshëm i bashkisë së Selenicës Nertil Bellaj falënderoi të gjithë strukturat e PS dhe qytetarët që e mbështetën për drejtimin e Selenicës në 4 vitet e ardhshme.
“Dua të falënderoj çdo banor të Selenicës që mbështeti PS dhe kandidaturën time. Falënderoj të gjithë strukturat e PS që na mbështetën për të arritur këtë rezultat. Votat në Labëri janë votë zemre, ashtu e kam ndjerë dhe ashtu do të punoj për 4 vitet e ardhshme dhe do të jem kryeshërbëtori dhe do të punoj me zemër. Do ta kthejmë bashkinë e Selenicës në një bashki turistike duke aktivizuar dhe përdorur të gjithë potencialin që ne kemi”, tha ai.
Kryetari i ardhshëm i bashkisë Sarandë Olti Çaçi në fjalën e tij falënderoi të gjithë banorët e Sarandës që i besuan drejtimin e bashkisë.
“Falënderoj të gjithë qytetarët që më besuan drejtimin e qytetit të mrekullueshëm të Sarandës dhe do bëj të pamundurën që në 4 vitet e ardhshme Saranda të kthehet në destinacion ndërkombëtar të turizmit”, tha ai.
Kryetari i ardhshëm i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha falënderoi qytetarët dhe strukturat e PS-së për mbështetjen.
“Ndjehem shumë i vlerësuar që qytetarë vlonjatë i besuan Partisë Socialiste dhe mua si kandidat për bashkinë e Vlorës si dhe ndjehem mirënjohës për strukturat e PS-së që bënë që ne të jemi si gjithmonë në drejtimin e duhur, ashtu siç Vlora e meriton. Dhe kjo vjen falë investimeve që ka bërë qeveria dhe Kryeministri Edi Rama. Jemi mbi 70 % fitues ose 17 mijë vota më shumë se kandidati kundërshtar. Unë premtoj se do ketë vetëm punë, shërbim dhe 4 vitet e ardhshme do e çojmë Vlorë aty ku e duam si një destinacion turistik dhe Vlora do të jetë lokomotiva e turizmit për të gjithë Shqipërinë”, tha ai.
/r.e/
