TIRANË, 15 maj/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali u shpreh se, nga sot godina e bashkisë është shtëpia e të gjithë shkodranëve.
“Shkodra shfleton një faqe të re në librin e saj të historisë. Godina e vjetër e bashkisë Shkodër na tregon më së miri madhështinë e këtij qyteti, i cili u shqua ndër shekuj për figurat që kontribuuan që kombi të jetë ai që është”, shkruan Bilali në rrjetet sociale, ndërsa ndau foto të godinës së bashkisë.
Bilali theksoi se, dje me votë qytetarët manifestuan etjen e tyre për zhvillim dhe ecje përpara si dhe dëshirën për rikthimin e Shkodrës në majat më të larta.
Ajo shprehu bindjen se, Benet Beci është njeriu i duhur për këtë sfidë.
“Shkodra i besoi Partisë Socialiste dhe kjo na bën më të përgjegjshëm e më të përulur ndaj çdo shkodrani, pavarësisht bindjeve politike. Entuziazmin e sotëm do ta kthejmë shumë shpejt në një vrapim për zhvillimin e kryeqendrës së veriut”, tha ajo.
/m.m/ /gj.m/r.e/
