Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Në 14 maj Kamza do të ndahet nga politika e përçarjes dhe urrejtjes

TIRANË, 11 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama shprehu sot bindjen se në 14 maj Kamza do të ndahet me urrejtjen dhe komuniteti i Kamzës do të kapërcejë një ndasi të egër, të pashpirt e të pabesë, e cila është ushqyer vetëm nga nevoja për pushtet.

Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Kamzë, Rama vlerësoi se kryebashkiaku Rakip Suli ka bërë punë të jashtëzakonshme për Kamzën, por vepra më historike e tij do të jetë në 14 maj.

“Në 14 maj do të jetë ndarja e Kamzës me urrejtjen, kapërcimi nga vetë komuniteti i Kamzës i një ndasie të egër, të pashpirt e të pabesë e cila është ushqyer vetëm nga nevoja për pushtet e një grushti njerëzish që e morën peng PD-në qysh në krye të herës”, tha Rama.

Rama theksoi se barrikadat e ngritura të ndasisë politike, politika e përçarjes dhe urrejtjes, i gjithë sulmi i vazhdueshëm propagandistik kundër PS-së dhe vetë atij personalisht, e bënin shumë të vështirë krijimin e një momenti qetësie për t’i menduar gjërat me qetësi, pa tifozllëk, pa ngjyra.

“Ky moment erdhi, sepse fati i Kamzës e deshi që ata të cilët Kamzën e mbajtën për fyti peng për gjithë ato vite, të dilnin nga rruga normale demokratike e marrëdhënies me qytetarët në një demokraci dhe të braktisnin procesin zgjedhor”, shtoi ai.

Rama theksoi se kjo ndodh kur ne drejtojmë bashkitë, sepse kemi një tjetër vizion, një tjetër koncept, një tjetër qasje për atë që është qeverisja dhe qeverisja vendore.

“Kjo provë është dhënë dhe e stërdhënë në shumë e shumë vite dhe e njëjta gjë ka ndodhur në Tropojë ku deri në vitin 2019 ne kurrë nuk e kemi pasur drejtimin e bashkisë. Në 2019 na u dha mundësia dhe Tropoja në këto 4 vite ka ndryshuar më shumë se në të gjitha vitet e marra së bashku të atyre që ishin me demek bij të Tropojës”, tha ai.

“Demokratët duhet të dëgjojnë se këta e kanë konsideruar gjithmonë se njerëzit e tyre më besnikë, mbështetësit më të zjarrtë i kanë në xhep dhe asnjëherë nuk kanë menduar se si t’ua shpërblejnë me punë e vepra por kanë ditur se si t’i rrëmbejnë nga mbrapa duke i ushqyer me helmin e përçarjes, ndasisë dhe urrejtjes”, tha Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version