Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Berisha tallet me popullin, akuzat për lidhjet e Veliajt me Iranin dezinformim

TIRANË, 11 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se nuk e njeh Sali Berishën për kryetar të opozitës, ndërsa shtoi se ai bën dezinformim, manipulim dhe mashtrim të qëllimshëm të opinionit publik.

I ftuar në një studio televizive, Rama komentoi deklaratat e Berishës i cili akuzon kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për afera me Iranin.

“Kam një mijë arsye pse nuk dua debat me të, por kjo është njëra arsye pse ky njeri nuk meriton debat. Është një sharlatan që tallet ditën dhe natën me popullin shqiptar. Paraqet para publikut foton e një kitaristi të huaj sikur është Erion Veliaj dhe akuzon këtë të fundit se ka qenë në Iran ku ka bërë afera për të marrë para për inceneratorët. Thotë ma kanë thënë shërbimet sekrete, ndërkohë që ai është kitarist i cili ka kënduar në kohën kur Erion Veliaj ishte 2 vjeç”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Berisha është një i pafytyrë, faqja e zezë e Shqipërisë sot.

“Nuk e njoh fare për kryetar opozite. E konsideroj një të vdekur që është gjallë. Nuk ka kryetar opozite, ka copëza. Nuk e njoh. Është një person që është një turp sot për shtetin, kombin shqiptar. Na ul kokën të gjithëve se e konsiderojnë faqe të zezë SHBA”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri kujtoi se Berisha ka akuzuar ambasadoren e SHBA-së se ka blerë prona në Shqipëri.

“Është një Yuri Kim që ka blerë prona në Shqipëri, por nuk është ambasadorja amerikane. Është një shtetas ukrainas Yuri Kim, gruaja quhet Marina Kim. Ky çift ka blerë prona në Sarandë. Ky i pafytyrë akuzon ambasadoren amerikane se ka blerë prona në Shqipëri”, shtoi Rama

Kryeministri theksoi se nuk po flasim për një rast lokal, por për një personazh i cili ka uzurpuar opozitën shqiptare sot që flasim dhe për të cilin SHBA, Britania e Madhe dhe perëndimi e kanë bërë të qartë se nuk e duan.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version