Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita e Dëshmorëve në kartëmonedhën 50 lekë të vitit 1964

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Sot, më 5 Maj, përkujtohen Dëshmorët e Kombit që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

E cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar në kujtim të 5 majit 1942, ditës kur u vra Qemal Stafa, i riu aktivist i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në këtë ditë të shënuar nderohen personat e shumtë, të cilët me akte të rralla patriotizmi, vetëmohimi dhe heroizmi, kontribuuan në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar të Shqipërisë, deri në dhënien e jetës, si dhe për personat, të cilët kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, të interesave kombëtarë shqiptarë, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndaj jetës së individit, mbrojtjen e pronës publike, si dhe në raste fatkeqësish natyrore, në ndihmë të popullsisë.

Banka e Shtetit Shqiptar e ka nderuar luftën për çlirim kombëtar nga pushtuesit e huaj, me kartëmonedhën 50 Lekë të vitit 1964, të dizenjuar nga piktori Hysen Devolli.

Kjo kartëmonedhë gjendet në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version