TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka folur nga sheshi i Shirokës, shesh për të cilin ka qenë dhe iniciator i këtij projekti kur mbante postin e drejtorit të FSHZH.
Beci shprehu kënaqësinë që banorët dhe turistët arrijnë të shijojnë këtë projekt, teksa shtoi se, kjo është shtysë që të vazhdojë të krijojë projekte të tjera për zhvillimin e Shkodrës.
“Sheshi i Shirokës është një nga projektet e mia më të përzemërta, për të cilën kam punuar me shumë dashuri. Ashtu si e kam thënë edhe kur kemi filluar këtë projekt, është një copëz e mozaikut të zhvillimit të Shkodrës dhe të gjithë rajonit të veriut”, tha Beci.
Beci u shpreh se, “bashkëpunimi me donatorët, të cilët u dakordësuan me vizionin e këtij projekti si dhe arkitektët me famë botërore, e bënë këtë projekt një sukses për të cilin unë ndihem krenar ashtu sikurse besoj edhe ju. Ishte kënaqësi e madhe për mua kur u njoftova se projekti i sheshit të Shirokës ka marrë një nga çmimet më prestigjioze të arkitekturës në Bashkimin Evropian”.
Por, shtoi Beci, më shumë kënaqësi për mua është kur shikoj se si banorët dhe turistët këtu në Shirokë e shijojnë këtë projekt.
“Kjo për mua është një shtysë që të vazhdojë të krijoj dhe të zbatoj projekte të reja, të rëndësishme, me impakt për zhvillimin e Shkodrës”, u shpreh Beci.
/k.s/ /gj.m/r.e/
