Agjencia Telegrafike Shqiptare

AFGANISTAN – Talebanët vrasin liderin lokal të Shtetit Islamik

UASHINGTON, 26 prill /ATSH-DPA/ – Talebanët afganë vranë liderin e celulës lokale të grupit ekstremist të Shtetit Islamik, i cili besohet të jetë përgjegjës për një sulm shkatërrues vetëvrasës në aeroportin e Kabulit në gusht të vitit 2021, raportuan mediet amerikane.

“Raporti i qeverisë amerikane u bazua në informacionin e shërbimeve sekrete”, tha “The New York Times” duke cituar zyrtarë të lartë të qeverisë.

Gjatë sulmit u vranë mbi 170 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë, i cili ndodhi gjatë evakuimeve ushtarake ndërkombëtare nga Afganistani.

“Mbetet e paqartë nëse talebanët shënjestruan liderin e IS, i cili nuk u emërua, apo nëse ai ra viktimë e një prej betejave mes talebanëve dhe luftëtarëve të IS”, raportoi New York Times.

Transmetuesi CBS citoi një zyrtar qeveritar të paidentifikuar të thoshte se SHBA-ja nuk ishte e përfshirë dhe se talebanët ishin të vetmit përgjegjës për vdekjen e liderit të IS.

Më 26 gusht 2021, një kamikaz hodhi veten në erë pranë njërës prej portave të aeroportit të Kabulit, mes një operacioni evakuimi për njerëzit që përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për shpërthimin. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version