TIRANË, 25 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Fierit, Armando Subashi deklaroi sot se beteja e 14 majit është e fituar, sepse rezultatin e votës PS e kërkon vetëm te puna.
“Ne kemi betejën e 14 majit para dhe duke parë pjesëmarrjen në këtë shesh, jam i bindur se ajo betejë është e fituar, sepse ne jemi PS dhe rezultatin e votës e kërkojmë vetëm te puna dhe për sa kohë kemi punuar në këto vite, jam i bindur se rezultati në 14 maj është aty”, tha Subashi.
Ai vuri në dukje se 80 % e administratës në bashkinë e Fierit janë gra dhe se suksesi ka ardhur pikërisht prej tyre.
“Nënat, motrat dhe vajzat janë zemra dhe shpirti i PS-së. Ndaj gjatë gjithë punës sonë, në këto vite jemi munduar që në të gjitha institucionet, gratë të zënë peshën kryesore. Dhe nuk është rastësi që pothuajse 80 % e administratës së bashkisë përbëhet nga gra dhe vajza. Të gjitha kanë qenë pjesë e sukseseve që kemi bërë këto vite në Fier. Ndërkohë edhe në këshillin bashkiak gjysmën e anëtarëve të këshillit, jemi kujdesur të jenë gra dhe vajza. Eksperienca e tyre i ka dhënë këshillit jo vetëm vendosmërinë që i takon, por edhe për shkak të debateve, vendimmarrjet kanë qenë të duhurat dhe sot Fieri është më i bukur se kurrë dhe na bën krenarë të gjithëve”, deklaroi ai.
/r.e/
