TIRANË, 25 prill/ATSH – I. Vata/ Në takimin e fushatës elektorale të 14 majit në Roskovec, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla, vlerësoi punën e bërë nga kryebashkiakja aktuale, Majlinda Bufi, e cila rikandidon për një mandat tjetër.
Në fjalën e tij, Balla tha se Roskoveci është transformuar në këto 8 vite pas 24 vitesh lënë në harresë nga të gjithë burrat bashkë.
“Besoj biem të gjithë dakord se socialistë, demokratë, komunistë e ballistë, ajo që ka ndodhur në Roskovec është shembull më kuptimplotë i transformimit të një xhepi të harruar në një qendër të rëndësishme që nuk lidh vetëm fshatrat e Roskovecit, por që të shkosh në Vlorë nga Berati, i bie më mirë nga Roskoveci. Dhe e vërteta është se bëhen bashkë disa arsye, dhe në fakt dua të vlerësoj pjesën e Majlindës veçanërisht, sepse është fuqia e një gruaje në krye të bashkisë që bëri për 8 vite atë që nuk e bënë dot bashkë për 24 vite të tjera gjithë burrat që qeverisën në katër njësitë”, – tha ai.
Po ashtu, Balla theksoi se Roskoveci duhet të ecë përpara me Majlinda Bufin dhe Edi Ramën, jo me Metën e Nard Nokën.
“Ky shesh, ku jemi sot ka qenë një turrë me plehra dhe na vjen Saliu dhe Ilir Meta, e na thonë se pse keni hequr plehrat nga qendra e Roskovecit. Po, patjetër se vendosëm ta bëjmë Rroskovecin qytet dhe vendosëm të pastrojmë historinë e plehrave nga qyteti i Roskovecit. Jam krenar për punën që kemi nisur, por kjo punë duhet të vazhdojë dhe kjo punë shkon përpara vetëm nëse Edi Rama dhe Majlinda Bufi punojnë të dy së bashku. Kemi shumë për të bërë në bujqësi, por mos harrojmë se me të njëjtën tokë bujqësore kemi katër herë eksportet bujqësore nga Shqipëria në Evropë dhe Myzeqeja dhe Roskoveci janë eksportuesit kryesorë. Ne do të bëjmë një plan kombëtar për vaditjen sepse nuk na del më ai ujë që kemi deri më tani për të prodhuar domate dhe kastraveca edhe në prill, janar dhe në nëntor. I zotohem Roskovecit do bëjmë një plan si të vendosim në sasinë e plotë të rezervuarit”, – tha Balla.
“Në Roskovec ka patur disa demokratë dhe pyetja është për kë do votoni ju? Për kandidatin e Ilir Metës, kandidatin e Nard Nokës apo Vangjel Dules? Prandaj kemi detyrimin ndaj Roskovecit që të vazhdojmë përpara me Majlinda Bufin dhe me Edi Ramën”, – tha ai.
/r.e/
