TIRANË, 20 prill /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi, në webinarin e organizuar nga SIGMA/ OECD mbi “Vështrime të sjelljes së qytetarëve për shërbime më të mira”, diskutoi mbi potencialin dhe sfidat e njohurive të sjelljes në administratën publike.
“Me shumë kënaqësi paraqita hapat konkrete të realizuar nga Shqipëria në këtë qasje koherente”, tha Ekonomi.
Ekonomi vuri në dukje se, “mekanizmat e përdorur nga qeveria shqiptare për të njohur perceptimin e qytetarëve dhe reagimin e tyre ndaj politikave dhe ndërhyrjeve të ardhshme, kanë rezultuar me sukses si; Këshillimi Kombëtar dhe hartimi i VKM në mbështetje të nënave të papuna për t’i paguar sigurimet shoqërore deri sa fëmija më i vogël të bëhet 5 vjeç”.
Gjithashtu, shtoi Ekonomi, “nisma e ardhur nga “Bashkëqeverisja” për të lehtësuar peshën e çantës së fëmijëve në shkollën fillore duke bërë një lëndë në dy orë. Shërbimet online, duke u përmirësuar dhe riinxhinieruar mbi bazën e “life events”. Por edhe të tjera shërbime që rimendohen kujdesshëm nga bashkitë”.
“SIGMA /OECD e ka vlerësuar Shqipërinë për Parimet e Qeverisjes së Mirë dhe Administrimit Publik për një periudhë katërvjeçare. Duke ndjekur vlerësimin sipas 52 treguesve të përbërë nga më shumë se 340 nëntregues individualë, SIGMA e renditi Shqipërinë si ‘lead performer’ në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Ekonomi.
/r.e/
