TIRANË, 31 mars /ATSH – I. Vata/ Drejtori i Transporti në bashkinë Tiranë, Enton Punavija foli sot në lidhje me dyndjen e qytetarëve në pikat e aboneve.
Në një prononcim për mediet, Punavija, tha se ka abone të mjaftueshme për të gjithë qytetarët
“Ka një procedurë të caktuar sepse siç e dini abonetë për studentët janë falas. Ku me kartën e studentit, studenti shkon në një pikë të caktuar, bën verifikimin pastaj bëhet pajisja. Kjo zgjat pak më tepër se normalisht, por janë procedura të nevojshme për të bërë të mundur shpërndarjen ashtu siç duhet të gjithë këtij sistemi.”
Ai theksoi se, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të gjitha kioskat e shitjes do të punojnë me orare të zgjatura.
“Bashkia e Tiranës e ka planifikuar sasinë e kartelave të pajtimit, të përgjithshme që të mbulojnë 100% nevojat e kërkesës. Po bëjmë një monitorim rigoroz të çdo muaji të sasive të shpërndara. Kemi marrë të gjitha masat që kioskat nuk do të mbyllen sot, nesër dhe as në ditët në vijim me orare të zgjatura derisa edhe qytetari i fundit të jetë i pajisur me kartelën e pajtimit, abone”, tha Punavija.
Në total çdo muaj hidhen në treg rreth 50 mijë abone të përgjithshme dhe mbi 20 mijë abone studenti sipas Bashkisë së kryeqytetit.
