Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bylykbashi: Në Vaun e Dejës, skemë e blerjes së votave me paratë e ndihmës sociale

TIRANË, 13 mars/ATSH – I. Vata/ Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi denoncoi sot atë që e cilësoi si, “skemën e blerjes së votave me paratë e ndihmës sociale nga bashkia dhe këshilli bashkiak i Vaut të Dejës”.

Në një deklaratë për mediet, Bylykbashi tha se, “siç dihet, një familje e varfër për të përfituar ndihmën ekonomike duhet të aplikojë në skemën e pikëzimit kombëtar. Më pas drejtoritë rajonale bëjnë përzgjedhjen sipas kritereve që përcaktohen me VKM 597. Familjet që mbeten jashtë sistemit të pikëzimit, mund të përfshihen nga Këshilli Bashkiak në skemën e ndihmës ekonomike nëpërmjet fondit 6%”.

“Por, çfarë ka ndodhur në bashkinë Vau i Dejës? Me vendimin nr. 1 të 26 janarit 2022, këshilli bashkiak Vau i Dejës ka miratuar kriteret për trajtimin me ndihmë ekonomike nëpërmjet fondit 6%, familjet të cilat nuk janë shpallur përfituese në skemën kombëtare të pikëzimit. Kjo skemë që përfshin administratorët, kryetarin dhe sekretarin e Këshillit bashkisë Vau i Dejës dhe prefekten e Qarkut të Shkodrës, ka vetëm një qëllim që, nëpërmjet përdorimit të fondeve publike të blejnë votat e familjeve dhe qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit. Kjo skemë është një këmbanë alarmi për institucionet e drejtësisë, të cilët duhet të dënojnë personat përgjegjës të këtij abuzimi me ndihmën ekonomike për bashkinë Vau i Dejës, duke filluar që nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deri tek nëpunësit e ndihmës ekonomike të bashkisë Vau i Dejës, të këshillit bashkiak, si edhe të strukturave rajonale si Shërbimi Social dhe Prefektura Shkodër”, tha ai.

Po ashtu, Bylykbashi tha se, “Partia Demokratike e dënon këtë veprim kriminal, i cili bëhet më edhe më i rëndë nga fakti, se ndihma ekonomike u hiqet familjeve ne nevoje për t’u kaluar militantëve të PS. Partia Demokratike, inkurajon të gjithë banorët që të sjellin denoncime dhe abuzime të pushtetit vendor”.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version