TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi sot një takim me komunitetin e Baldushkut mbi sfidat, të tashmen dhe një të ardhme më të mirë.
Krifca theksoi se, po punohet për t’i dhënë vëmendjen që i takon të gjitha shqetësimeve të tyre, për ta kthyer Baldushkun në një zgjatim rural të kryeqytetit.
Ministrja theksoi se, tregu i ri bujqësor i Farkës, do të krijojë mundësi të reja për më shumë ekonomi.
“Lugina e pasur me drithra, drufrutorë, foragjerë, blegtori, shpendari, bletari, ka ende potencial të pashfrytëzuar për të cilin po punojmë bashkërisht me zooteknikë, veterinerë e agronomë, me komunitetin, fermerë e banorë të zonës, për t’i dhënë vëmendjen që i takon të gjitha shqetësimeve të tyre, për ta kthyer Baldushkun me natyrë magjepsëse në një zgjatim rural të kryeqytetit përmes zhvillimit të mëtejshëm edhe në funksion të agroturizmit ndërsa tregu i ri bujqësor i Farkës, shumë pranë, do të krijojë mundësi të reja për më shumë ekonomi”, u shpreh Krifca.
/m.m/
