ROMË, 15 shkurt /ATSH-DPA/- Ish-kryeministri Italian, Silvio Berlusconi u lirua sot nga akuzat për korrupsion dhe ryshfet në lidhje me festat e tij të ashtuquajtura “Bunga Bunga” me vajza të reja.
Në përfundim të seancës së tretë të gjyqit të quajtur “Ruby Ter”, një gjykatë në Milano ka shpallur të pafajshëm, 86-vjeçarin, Berlusconi dhe 28 të pandehur të tjerë kryesisht gra, për akuzat e ngritura kundër tyre.
Sipas prokurorisë, Berlusconi i kishte paguar gratë për të dhënë dëshmi të rreme në dy gjyqet e para, kur ai u akuzua për shpërdorim detyre dhe nxitje të prostitucionit të të miturve.
Berlusconi u shpall i pafajshëm në mungesë të provave.
Berlusconi u urua nga partnerët e tij të koalicionit të krahut të djathtë të udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni.
“Ky është një lajm i shkëlqyer”, tha Meloni pas shpalljes së pafajësisë.
Në vitin 2017, qeveria e atëhershme e qendrës së majtë kishte nisur çështjen ligjore.
Deri në pranverën e vitit 2022, avokati i zyrës së kryeministrit të atëhershëm Mario Draghi kërkoi një dëmshpërblim me vlerë 10.5 milionë euro (11.2 milionë dollarë) nga Berlusconi, sepse ai i kishte shkaktuar Italisë një “diskreditim mbarëbotëror” përmes sjelljes së tij.//a.i/
