Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dëbora zbardh majat e Përmetit

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Gjatë kësaj fundjave dëbora ka zbardhur majat e maleve në Përmet.

Dëbora ka zbardhur malet dhe bredhat duke i sjellë pamjen që dimrit po i mungonte.

Dhëmbeli, Nemërçka dhe Bredhi Hotovës ofrojnë për vizitorët pamje magjike nën magjinë e bardhësisë së dëborës.

Përmeti i ofron turistëve dhe vizitorëve çdo gjë në çdo stinë, ku tashmë majat e maleve me dëborë duken sikur u bëjnë ftesë vizitorëve për të kaluar një fundjavë ndryshe në këtë destinacion.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin, që ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Në pjesën lindore të tij ndodhen ujërat termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave. Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version