TIRANË, 23 janar/ATSH – I. Vata/ Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka reagoi sot për nivelin e pagave në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediet, Caka tha se, “në 3 vitet e fundit, gjithë vendet e rajonit i kanë rritur pagat mesatare bruto deri në nivelin 800-900 euro, ndërsa Shqipëria, i ka në nivelin 520 euro. Pra, në 3 vitet e fundit, në Shqipëri, paga mesatare bruto është rritur vetëm 84 euro”.
Kjo, theksoi Caka, “ka bërë që të thellohet gjithnjë e më shumë diferenca me vendet e rajonit e duke bërë që shqiptarët të paguhen 40% më pak se serbët, boshnjakët, malazezët e maqedonasit”.
Caka tha se, “Shqipëria ka gjithashtu nivelin më të ulët të të ardhurave të disponueshme në rajon. Shqipëria gjithashtu mban vendin e fundit edhe për konsumin e të ardhurat për frymë”.
/gj.m/
