TIRANË, 17 janar/ATSH –I. Vata/ Gjykata e Apelit Tiranë vendosi sot pushimin e shqyrtimit të çështjes në lidhje me bashkimin e dy statuteve të PD-së, pas tërheqjes së ankimimit të grupit parlamentar të PD-së.
Gjykata e Apelit njoftoi sot se, “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur çështjen që ka si objekt pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17 korrik 2021, pas kërkesës, së Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Me vendimin e 18 marsit të vitit të shkuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi pranimin e kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Depozitimin e statutit dhe vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë e datës 17 korrik 2021”.
“Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga vetë pala kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Në seancën gjyqësore, të zhvilluar sot më datë 17 janar 2023, përfaqësuesi ligjor i ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë, avokat Indrit Sefa, paraqiti kërkesë me shkrim për heqjen dorë nga ankimi. Në këto kushte, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare, Irida Kacerja dhe anëtarë Emona Muçi dhe Genti Shala, vendosi pushimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit. Ndaj vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”, njoftoi Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit do të shqyrtonte kërkesën e Partisë Demokratike, për bashkimin e dy Kuvendeve, përkatësisht 17 Korrikut dhe 18 Dhjetorit 2021, në një çështje të vetme, çështje e cila u pushua sot nga Gjykata e Apelit, pas tërheqjes së ankimimit të grupit parlamentar të PD-së.
/gj.m/
