TIRANË, 16 janar /ATSH/ Në Bruksel u zhvillua sot takimi bilateral me Komisionin Evropian për funksionimin e institucioneve demokratike.
Në këtë takim morën pjesë ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatore e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, nënkryetarja e Komisionit të Integrimit Evropian, Etilda Gjonaj, ambasadorja në Misionin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Suela Janina, Zëvendësministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Adea Pirdeni, Kryetarja e AMA, Armela Krasniqi, si dhe përfaqësues të lartë nga administrata e Kuvendit, KQZ-së, AMA-s dhe shoqërisë civile.
Gjonaj, si përfaqësuese e Parlamentit në nivel politik prezantoi zhvillimet kryesore sa i përket proceseve demokratike dhe rolit të Parlamentit shqiptar në procesin e integrimit Europian.
Gjatë prezantimit të saj, Gjonaj u ndal në kontekstin, kuadrin e brendshëm legjislativ dhe përqasjen me kriteret e Kopenhagenit dhe standartet e BE-se, funksionet dhe përgjegjësitë e kuvendit dhe zbatimin e tyre.
Ajo garantoi që në fillim të prezantimit të saj vullnetin politik dhe angazhimin e të gjitha strukturave për procesin e integrimit evropian duke e konsideruar edhe rolin e Parlamentit si një vlerë të shtuar në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Gjonaj theksoi rezultatet kryesore të veprimtarisë së Kuvendit në aspektin legjislativ, monitorues dhe emërimin e drejtuesve të lartë të një sërë institucionesh të pavarura, duke u ndalur tek reformat më të rëndësishme që janë ndërmarrë nga Kuvendi, si reforma në drejtësi, reformat zgjedhore, si dhe në zbatueshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu u prezantua iniciativa më e fundit e Kuvendit nëpërmjet komisionit ad hoc parlamentar për rishikimin e ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian, duke theksuar bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen edhe të opozitës, të aktorëve politikë dhe shoqërisë civile në agjendën evropiane, si një agjendë e cila tejkalon agjendat politike.
Drejtuesit e lartë të administratës së Kuvendit, Mimoza Arbi, Drejtore e Shërbimit Juridik, Alkida Llakaj, Drejtore e Shërbimit të Monitorimit, Julia Done, Drejtore e Përgjithshme e Informacionit dhe Dokumentacionit dhe Elda Zenelaj, Drejtore e Sekretariatit Teknik të KKIE, prezantuan masat dhe rezultatet e arritura përsa i përket transparencës, llogaridhënies, Integritetit të deputetëve dhe efiçencës për veprimtarinë e Kuvendit.
Gjatë këtij takimi pune, u vijua me prezantimet edhe raportimet nga KQZ, AMA dhe shoqëria civile.
Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar në këtë takim, iu përgjigjën pyetjeve që u bënë pas çdo prezantimi.
E veçanta e këtij takimi është se për herë të parë, Komisioni Evropian, bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit, ka zhvilluar një takim të fokusuar vetëm në çështjet e funksionimit dhe proceseve të institucioneve demokratike.
