Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Ukraina: Ushtarët në situatë të vështirë në Donbas

KIEV, 9 janar /ATSH-DPA/ – Ushtarët ukrainas janë në një situatë të vështirë, ndërsa forcat ruse po grumbullohen pranë qytetit të kontestuar ashpër të Soledarit, deklaroi një zyrtar i lartë i mbrojtjes në Kiev.

Mbajtja e Soledarit dhe Bakhmutit, rreth 14 kilometra larg njëra-tjetrës, është thelbësore për Ukrainën që të ruajë murin e saj mbrojtës që mbron Slovianskun dhe Kramatorskun, qytete të mëdha në rajonin lindor të Donbasit, ende nën kontrollin e Kievit.

Marrja e qyteteve do të ishte e barabartë me pushtimin e Donbasit, një nga objektivat e deklaruara publikisht të Rusisë në fillim të luftës.

“Aktualisht është e vështirë në Soledar”, shkroi zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar në Telegram.

Pavarësisht luftimeve të rënda në lindje, presidenti Volodymyr Zelensky tha se nuk priste ndonjë përparim të madh rus përmes linjave ukrainase dhe premtoi përforcime për trupat e tij./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version