Agjencia Telegrafike Shqiptare

Të krishterët festojnë Ditën e Ujit të Bekuar

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Çdo 6 janar të krishterët kremtojnë Theofaninë, dita që përmbyll të gjitha festimet e Fundvitit. Theofania, e njohur ndryshe me emrin Epifania, rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe ka kuptimin “Shfaqja e Perëndisë”. Kjo ditë njihet edhe si Dita e Ujit të Bekuar, pasi Kisha Ortodokse e feston edhe si ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan. Ndërsa pagëzohej nga Gjon Pagëzori, mbi kryet e Jezusit qëndroi një pëllumb i bardhë, simboli i shfaqjes së Zotit në tokë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë me një nga kryeveprat e Onufrit, tempera në dru e shekullit XVI, vepër e cila gjendet në Muzeun e Artit Mesjetar, Korçë, marrë nga Kisha e Ungjillëzimit, Berat.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat, me rastin e kësaj dite, solli në vëmendje një nga perlat e shumta, pjesë e koleksionit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri”, “Pagëzimi i Krishtit”, vepër e Johan Çetirit. Ikona është realizuar në teknikën tempera mbi dru dhe fletë ari dhe daton 1812-1814.

Në disa qytete të vendit, ku numri i të krishterëve është më i lartë, Kisha Orthodhokse organizon hedhjen e kryqit në det, liqen apo lumenj dhe mes të rinjve besimtarë zhvillohet gara e kapjes së kryqit. Ndërkohë që urohen të gjithë ata, emri i të cilëve rrjedh nga emri Theofani, si Epifani, Epifania, Fan, Fani, Fania, Fanulla, Teo, Foti, Foto, Fotaqi, Teofani, Fotini, Fotinia, Fotina, Fotika, Fotiana, Jordani, Drita, Dritan.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version