TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga shefi i kompanisë së prodhimit të dronëve “Bayraktar”, Haluk Bayraktar, vizituan kantierin e punës për ndërtimin e Piramidës së Tiranës.
““Bayraktar”, është kompania e cila ka një rrjet të tërë të qendrave të shkencës së teknologjisë në shumë qytete, e që ka pranuar ta sjellë përvojën e saj edhe në Shqipëri, duke ofruar trajnime falas për të gjithë fëmijët shqiptarë për t’u aftësuar në fusha të ndryshme të botës dixhitale”, bëri të ditur Kryeministri Rama.
Kryeministri Rama e informoi se punimet për ndërtimin e “Pramidës” parashikohet të përfundojnë në vjeshtën e vitit që vjen.
“Koncepti është si ai i një vatre zjarri, ti hyn dhe brenda shikon poste të tjera”, u shpreh Rama.
Ndërsa, kreu i kompanisë “Bayraktar” bëri të ditur se qendra të shkencës dhe teknologjisë janë ndërtuar në çdo qytet të Turqisë, ndërsa në Stamboll është më e madhja.
“Fëmijët mund të marrin trajnime. Programi parashikon 5 lëndë me 20 fëmijë. Çdo ditë zhvillohen 5 seanca. Pra do të jenë 500 fëmijë në ditë që do të mund të marrin njohuri përmes këtyre programeve. Kemi një koncept, që e bën një qendër shkencore të hapur për gjithkënd. Të gjithë ata që rezervojnë online mund të vijnë dhe të marrin pjesë, në këto workshop-e. Pastaj bëhet një përzgjedhje, ku përzgjedhim ata që janë më brilantët, dhe u bëjmë provime dhe i zgjedhim për 3 vjet studim falas. Por, këto orë mësimore janë të hapura për të gjithë publikun. 100 mijë njerëz mund të vijnë dhe të marrin pjesë, të përfitojnë, jo vetëm njerëz specifik”, tha Bayraktar. /j.p/
