TIRANË, 19 nëntor/ATSH/- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaron se “6 dhjetorin duhet ta shndërrojmë në një shuplakë të fortë bojkoti ndaj axhendës destabilizuese të Sali non gratës”.
Në një reagim në rrjetet sociale lidhur me protestën e thirrur nga ish-kryeministri Berisha në ditën kur të Tiranë do të mbahet për herë të parë Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Manja thekson se “non grata kërkon që ta vendosë Shqipërinë në ruletën ruse”.
”Në 6 dhjetor, këtë ditë historike për shqiptarët kur në Tiranë do të mbahet samiti historik BE-Ballkani Perëndimor, “non grata” kërkon të damkosë Shqipërinë me vulën e turpit të sponsorizuar nga rublat ruse”, nënvizon Manja.
Sipas tij, Shqipërinë nuk mund ta marrë peng në marrëzinë e vetmisë së tij Berisha dhe taborët e tij.
Ministri shton se Shqipëria iu përket shqiptarëve dhe vendi i saj është në BE e krah SHBA-së një herë e përgjithmonë.
