TIRANË, 8 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama në një takim me të rinj në Kamzë komentoi sot çështjen e largimit të shqiptarëve, ndërsa shprehu bindjen se shumë shpejt ky trend do të vijë në ulje edhe për shkak të mundësive që po krijohen.
“Ky nuk është një trend sot në të gjithë Europën, ky është një trend historik për ne, ku të gjithë kanë kaluar. Është shumë sipërfaqësore që të thuash ‘largimet e këtyre 30 viteve po vijnë si rezultat i politikës të degjeneruar’, por asnjë lloj politike dhe asnjë lloj skuadre politike e ardhur dhe nga hëna në këtë vend, nuk do të kishte mundur dot që të mbyllte derën edhe që shqiptarët t’i mbante këtu që të gjithë. Sepse kjo nuk bën sens”, tha ai.
“Po të ishte që këtu do ta kishin të gjithë fajin politikanët e poshtër atëherë me siguri në vende të tjera do kishin dalë politikanë dhe do kishin dalë udhëheqës që nuk do ta kishin lejuar këtë lloj trendi dhe do ta kishin frenuar dhe do t’i kishin bërë vendet e tyre në një hark kohor kaq të shkurtër, njësoj si vendet e zhvilluara të botës. Por kjo nuk ka ndodhur”, shtoi kryeministri.
Rama tha se “kur vendi është në këtë trend, ndodh një proces humbjeje i një pjese të rëndësishme të burimeve të veta cilësore njerëzore, por kjo nuk ka vetëm anën e keqe”.
“Kjo ka dhe anën e mirë se po të mos ishin njerëzit që kanë emigruar Shqipëria nuk do kishte ardhur dot gjallë deri këtu”.
“Mos harroni se nga e ka nisur Shqipëria si nivel ekonomik. Kemi dalë nga ai sistem që ne ishim larva komplet, krahasuar me të tjerët me të cilët sot përpiqemi të matemi. Këto të gjitha kanë rëndësi dhe kanë rëndësi edhe një aspekt tjetër. Nuk ndërtohet me inat shteti. Nuk ndërtohet se do ti sot e s’ka. Do kohën e vetë, sepse të tjerët kanë pasur edhe institucione, edhe tradita që ne nuk i kemi pasur”, tha ai.
Rama tha se nëse e shohim sot vendin me syrin e mundësive, sot ka mundësi shumë më të mëdha se dje.
“Kush thotë se në Shqipëri s’ka mundësi, thjesht nuk thotë të vërtetën. Sigurisht që në Shqipëri ka vështirësi, ashtu sikundër, kush mendon që shkon atje dhe e gjen shtruar, thjesht gabon. Këtu ka mundësi, se po mos kishte mundësi nuk do kishte plot njerëz që kthehen. Nuk janë aq sa ikin, jemi akoma në një trend ku ikin më shumë sesa kthehen, por jam i sigurt që ky trend do fillojë të ndryshojë dhe koha e ikjeve më shumë sesa kthimeve tanimë po shkon drejt ezaurimit dhe do fillojnë kthimet më shumë sesa ikjet edhe për një arsye tjetër. Sepse andej po bëhet gjithmonë e më vështirë”, shtoi ai.
/j.p/r.e/
