TIRANË, 8 nëntor/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se qeveria nuk bën transparencë për projektin e Portit të Durrësit.
Në një konferencë për mediet, Meta theksoi se kanë kaluar 4 muaj dhe qeveria nuk po kthen përgjigje për pyetjet e ngritura.
“Vazhdon të thellohet më tej skandali i portit të Durrësit dhe dalin më qartë përpjekjet e paligjshme të qeverisë dhe kryeministrit për të bllokuar transparencën për informacionet që janë kërkuar sipas ligjit dhe Kushtetutës që në datën 15 gusht, nga deputeti i Partisë së Lirisë, Vasili. Ende sot pas gati 4 muajsh nuk ka asnjë përgjigje dhe asnjë llogaridhënie lidhur me këto pyetje”, u shpreh Meta.
Po ashtu, Meta shtroi disa pyetje për të cilat, sipas tij, duhet transparencë.
“A është dhënë statusi i investitorit strategjik? Nëse po, cilës kompanie i është dhënë ky status? Jeni shprehur publikisht se investitori do të jetë “Emaar Group” ndërkohë në memorandumin e firmosur nuk përmendet gjëkundi “Emaar Group”? Analiza financiare si detyrim ligjor për marrjen e statusit të investitorit strategjik nga cila kompani është paraqitur? A parashikohet, që ashtu sikurse në rastin e inceneratorëve prona publike të mund të lihet kolateral në bankat shqiptare apo të huaja në funksion të marrjes së kredive nga kompanitë e përfshira në memorandum? Cilat janë masat garantuese që Porti i Durrësit të mos sekuestrohet nga bankat vendase apo të huaja për shkak të problemeve eventuale të kompanive huamarrëse? Investimi detyron spostimin e Portit Tregtar aktual, cilat janë masat e marra që Dogana të funksionojë normalisht dhe kjo të mos ndikojë negativisht në realizimin e të ardhurave që lidhen me biznesin ashtu dhe për Buxhetin e Shtetit? Cila është kostoja e Portit të ri tregtar dhe sa është kohëzgjatja e realizimit të ndërtimit të këtij porti? Në këtë periudhë të ndërmjetme pra të fillimit të ndërtimit të portit turistik nga njëra anë dhe Portit tregtare nga ana tjetër, ku do jetë vendndodhja e funksionimit të Doganës portuale Durrës? Ndërtimi i Portit të ri tregtar do të realizohet me fonde të buxhetit apo do kërkohet një tjetër borxh? Cili është qëndrimi zyrtar i institucioneve të Bashkimit Evropian për këtë projekt? Kërkojmë nga ju të na vihet në dispozicion i gjithë komunikimi zyrtar me Bashkimin Europian për këtë projekt. Por thellohet skandali, Qeveria Rama ka vënë në dispozicion si kontribut taksën e ndikimit në infrastrukturë si dhe taksën për strehimin social, që është sa 3 % e ndërtimit. Këtë e ka bërë pa asnjë transparencë dhe pa treguar cila është vlera reale që realizohet nga këto dy përjashtime”, tha Meta.
/j.p/r.e/
