TIRANË, 5 nëntor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen në Përroin e Lushnjës që kalon në 4 lagje të qytetit.
Ky lum ishte një shqetësim i qytetarëve prej 30 vitesh dhe ishte kthyer në një gangrenë mjedisore.
Në përfundim të këtij investimi, Rama është shprehur se “Lana” e Lushnjës do të kthehet në një aset të gjelbër urban.
Kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa tha se në kuadër të këtij investimi është parashikuar pastrimi i skarpateve, pastaj do të shtrohet me asfalt dhe do të krijohet një brez i gjelbër.
Gjithashtu në të dyja anët e përroi është parashikuar që të ketë trotuare dhe pistë biçikletash.
Lumi ka një gjatësi prej 3 kilometrash, nga të cilat janë përfunduar 650 metrat e para me pastrimin e kanalit, betonimin e shtratit të lumit, ndërsa projekti parashikon edhe rehabilitimin e disa akseve rrugore krahas tij.
Kryebashkiakja theksoi se “gjatë gjithë segmentit do të ketë zgjerim dhe puna ka nisur me prishjen e avllive pasi kemi parashikuar që të gjitha të jenë në mënyrë uniformë”.
Ajo sqaroi se mes dy urave është parashikuar ngritja edhe një ure metalike për kalimin e këmbësorëve duke qenë se pranë është edhe shkolla 9-vjeçare dhe fëmijët të kenë mundësi të kalojnë në mënyrë të sigurt.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi këtë investim që po kryhet ndërsa shtoi se do të ndërhyhet me një projekt transformues edhe në unazën e qytetit ku zhvillohet një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të biznesit lushnjar.
