Agjencia Telegrafike Shqiptare

Xhixho: Shqipëria buxhetin më të ulët për arsimin në rajon

TIRANË, 4 nëntor /ATSH-I.Vata/ Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka bërë një deklaratë për mediet në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2023, duke theksuar se ai nuk u jep asnjë përgjigje shqetësimeve reale me të cilat përballet arsimi sot.

Ajo u shpreh se buxheti për arsimin do të vazhdojë të jetë më i ulëti në rajon.

“Ky buxhet nuk përmbush kërkesat e pedagogëve që kanë javë që protestojnë për një arsim cilësor dhe trajtim dinjitoz financiar”, u shpreh Xhixho.

Xhixho tha se projektbuxheti i vitit 2023, që ka filluar të diskutohet në parlament, fatkeqësisht nuk u jep asnjë përgjigje shqetësimeve reale me të cilat përballet arsimi sot.

“Buxheti për arsimin do të vazhdojë të jetë më i ulëti në rajon me 2,2% e PPB për 2023, por më e rënda është se pritet të ulet 2% e PPB në 2025 duke qenë shumë larg mesatares së BE dhe premtimit 5% e PPB që do të realizonte Rilindja. Për laboratorët, fusha sporti, infrastrukturë, ngrohje, etj., ky buxhet për investimet e brendshme parashikon rritje vetëm 3 milionë lekë, ose 0,07% krahasuar me vitin 2022. Gjithashtu, kërkesa e drejtë e pedagogëve që pagat e tyre të shkojnë të paktën sa kolegët e tyre në Kosovë nuk parashikohet aspak në këtë buxhet”, tha ajo.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version