PRISHTINË, 31 tetor /ATSH/ Në Kosovë sot ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal. Në Prishtinë ky proces sivjet po zhvillohet me risi, pasi tashmë imunizimi me këtë vaksinë është shpërndarë në trembëdhjetë Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet.
Interesimi i qytetarëve, kryesisht i të moshuarve për t’u imunizuar me këtë dozë të vaksinës ishte mjaft i lartë mëngjesin e sotëm.
Procesi i vaksinimit kundër virusit sezonal ka nisur në mbarë vendin thonë për KosovaPress edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Nga ky institucion thonë se për këtë vit 85 mijë doza janë në dispozicion për qytetarët e Kosovës.
Nga MSh po ashtu deklarojnë se të gjitha këto doza janë shpërndarë me kohë në QKMF-të në nivel vendi.
“Ju informojmë se sasia e vaksinave kundër gripit sezonal është 85,000 vaksina dhe shpërndarja e tyre është bërë në të gjitha QKMF-të në nivel vendi. Gjithashtu, iu informojmë se ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal në të gjitha QKMF-të në nivel vendi. Rëndësia e vaksinimit kundër gripit sezonal qëndron në faktin se vaksinimi kundër gripit mbron vet personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes se gripit”, thuhej në përgjigjen e MSh-së.
Qysh herët sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, kishte ardhur Zarife Sahiti për ta marrë dozën e vaksinës kundër gripit sezonal.
75-vjeçarja shprehet për KosovaPress se çdo vit imunizohet me këtë lloj vaksine dhe e ndihmon shumë.
“Zakonisht e marrë që sa vite jemi duke e marrë (vaksinën)…..Shumë mirë ndihem, për atë kam ardhur me marrë sepse me më munduar nuk isha ardhur…Jo (nuk pritëm) shpejt e kemi kryer”, theksoi ajo.
Edhe 72-vjeçari Idriz Osmani pasi e mori vaksinën kundër gripit sezonal, tregoi se kjo vaksinë e ndihmon shumë për ballafaqimin me viruset sezonal.
Ai madje rekomandon që sidomos të moshuarit të imunizohen me këtë vaksinë, derisa shton se edhe procesi i vaksinimit në këtë Qendër të Vaksinimit po shkon mirë.
“Rregullisht e marrë që 4-5 vite. Shumë e mirë është për qytetarët këto gripat sezonal i kaloj lehtë. Gjithsesi të moshuarit sidomos duhet t’i marrin. Shumë mirë sivjet është shumë në rregull”, theksoi ai.
Ndonëse vaksinën kundër gripit mund ta marrë në QMF-në më të afërt në Velani, Mustaf Miftari kishte ardhur në QKMF në qendër për t’u vaksinuar. Ai thotë se nuk e ka ditur që tashmë është bërë shpërndarja e vaksinimit në të gjitha QMF-të në kryeqytet.
Miftari thekson që vazhdimisht vaksinohet dhe i ndihmon në forcimin e imunitetit kundër gripave të kohës.
“Po e mora vaksinën, mirë shumë po ndihem. Vazhdimisht e marrë dhe as nuk pritëm. Nuk e kam ditë (që po bëhen shpërndarja edhe në qendra tjera)”, u shpreh ky i moshuar.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi u shpreh se planifikojnë t’i aplikojnë 11 mijë doza të vaksinave dhe se aktualisht janë furnizuar me 6 mijë e 500.
Ai tha se administrimi i kësaj vaksine po ndodhë në kohë optimale dhe të gjithë qytetarët e Prishtinës kanë mundësi të imunizohem me këtë vaksinë në Qendrën Mjekësore Familjare më të afërt.
“Fatmirësisht këtë vit vaksinat janë me kohë dhe jemi në kohën më të mirë optimale për aplikimin e vaksinës kundër gripit sezonal. Këtë vit për dallim prej viteve të tjera kemi bërë një organizim pak më ndryshe, në mënyrë që qytetarët ta kenë mundësinë që në lagjen e tyre dhe në QMF e tyre ta marrin vaksinën dhe nga sot janë aktive 13 qendra, QKMF dhe 13 institucione tjera të cilat aplikojnë vaksinën kundër gripit. Kështu që nuk presim tollovi, nuk presim grumbull të qytetarëve kjo do të vazhdoj kjo do të vazhdoj nuk është vaksinë që merret për një dit apo dy. Por do të jetë gjatë tërë muaji në dispozicion apo edhe më shumë…Planifikimi për këtë vit sikurse edhe për vitet tjera ne planifikojmë rreth 11 mijë vaksina të furnizohemi dhe t’i aplikojmë rreth 11 mijë vaksina, aq i kemi të planifikuar tani për tani jemi furnizuar me 6 mijë e 500 që janë të mjaftueshme për këtë kohë, mirëpo varësisht prej nevojës ne do të furnizohemi kohë pas kohe, do të ketë vaksina në vazhdimësi aq sa ka me pas nevojë…10\26“Janë trajnuar të gjitha ekipet, dhe secila qendër ka ekipe mjaftueshëm”, u shpreh Gashi.
Specialisti i mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Naim Sveçla theksoi se procesi i vaksinimit po shkon mirë. Ai shton se kjo vaksinë është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.
Ai rekomandon që të moshuarit, ata me sëmundje kronike të marrin këtë dozë për tu mbrojtur kundër virozave sezonale.
Sveçla po ashtu thekson se këtë vit janë në kohë optimale për të marrë këtë vaksinë dhe për të forcuar imunitetin.
“Procesi po ecë mirë. Në ora 07:00 kemi filluar, interesimi është në nivel, mirë është duke ecur. Rekomandimet janë për të moshuarit mbi 60 vjeç, njerëzit me sëmundje kronike të mushkërive, sëmundje kronike të zemrës, sistemit endokrin apo sëmundje kronike të veshkave, të gjithë këta janë me prioritet. Mirëpo, vaksina mund të merret nga 6 muaj e tutje për të gjitha grupmoshat nuk ka kurrfarë problemi. Në fund të vjeshtës në fillim të dimrit është koha më e mirë më e mirë kuptohet se edhe më herët me u marr është mirë, për shkak se duhen dy javë ose 3 javë derisa vaksina të prodhojë antitrupa dhe t’i mbroj qytetarët”, theksoi ai.
Sveçla rekomandon që krahas kësaj vaksine qytetarët që kanë imunitet të rrezikuar të marrin edhe dozën përforcuese kundër COVID-19.
Kujtojmë që në Kosovë procesi i vaksinimi kundër gripit sezonal shpesh viteve të kaluara ka nisur me vonesa të aplikimit të kësaj vaksine.
