Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Zgjedhjet e 14 majit, sfidë tepër e rëndësishme

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Partia e Lirisë zhvilloi sot Konventën Kombëtare.

Kryetari kësaj partie, Ilir Meta u shpreh në fjalën e tij se, “sot do të miratojmë një program që ofron zgjidhje konkrete për hallet e njerëzve”.

“Krizat e jashtëzakonshme, kërkojnë lidership politik të fortë dhe zgjidhje të jashtëzakonshme. Në ofrojmë një program politik dhe model qeverisës që bazohet tek llogaridhënia, bashkëpunimi, demokracia, kushtetutshmëria dhe referendumi”, tha Meta.

“Partia e Lirisë angazhohet për rivendosjen e sigurisë juridike në vend, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe biznesit, që të mos u tjetërsohet prona private për arsye klienteliste, të mos u mbyllet biznesi në mënyrë arbitrare për shkak se nuk paguajnë gjobën ndaj taksidarëve, të mos ikin investitorët e huaj për shkak të monopolizimit të tregut dhe ekonomisë nga interesat korruptive të qeverisë”, u shpreh Meta.

“Ne angazhohemi për një model ekonomik, që stimulon iniciativën dhe tregun e lirë, konkurrueshmërisë dhe mirëqenie për të gjithë. Ne synojmë të kemi një zhvillim ekonomik, që përkthehet në rritjet e pagave aktuale të shumicës së shqiptarëve, që janë paga mbijetese, sa për të mbajtur frymën gjallë, në “paga të jetesës” që garanton mbulimin e kostove të jetesës, dhe një mirëqenie të familjeve shqiptare”, tha Meta.

“Ne do të miratojmë ligjin për indeksimin e pagave në raport me inflacionin dhe rritjen ekonomike, rritje e pagave që do të realizohet çdo vit”, shtoi Meta.

Kryetari i PL, foli edhe për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, të cilat i cilësoi si, një sfidë tepër e rëndësishme politike dhe elektorale.

“Përballë kemi një sfidë tepër të rëndësishme politike dhe elektorale, siç janë zgjedhjet lokale të 14 Majit. Është fakt që pluralizmi në pushtetin vendor nuk ekziston dhe kontrolli dhe llogaridhënia është zero”, u shpreh Meta.

“Fitorja e Opozitës është e vetmja mundësi që qytetarët të rimarrin në kontroll qytetet e tyre, të dëgjohen dhe imponojnë vullnetin e tyre në Bashkitë dhe Këshillat Bashkiake, drejtpërdrejtë, por edhe nëpërmjet referendumit. Sot është emergjencë kombëtare që apatinë kolektive ta kthejmë në qytetari aktive”, tha Meta.

“Prandaj, me entuziazmin e kësaj salle ne jemi të sigurt që dalim nga kjo Konventë më të fortë, më të motivuar, më të frymëzuar në misioni tonë historik! siç janë zgjedhjet lokale të 14 Majit”, theksoi Meta. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version