TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kryetarja e komisionit për Integrimin Evropian, Jorida Tabaku dhe zëvendëskryetarja, Etilda Gjonaj, zhvilluan dy takime në qytetin e Korçës, mbi bujqësinë, zhvillimin rural dhe lëvizjen e lirë të mallrave. Takimi i parë u zhvillua me studentë të Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, ndërsa takimi i dytë u zhvillua me fermerë të zonës, për të diskutuar sesi procesi i integrimit i prek ata.
Të pranishëm ishin edhe Christiane Hohmann, ambasadore e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Karel Urban, ambasador i Republikës Çeke në Shqipëri.
Gjatë takimeve u diskutua mbi planin kombëtar të integrimit europian, lëvizjen e lirë të mallrave, situatën aktuale në Shqipëri, bujqësinë dhe zhvillimin rural etj.
Tabaku, gjatë fjalë së saj vuri në dukje se procesi i integrimit është forca e vetme transformuese për të ndryshuar një vend.
“Ndryshimin më të madh në çdo aspekt të vendit, e bëni ju, studentët, me kontributin tuaj” theksoi Tabaku.
Po ashtu, ajo shtoi se, vendet kandidate potenciale e shohin integrimin si një mundësi për të nxitur një zhvillim paqësor nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, politik dhe kulturor si brenda rajonit, ashtu edhe me shtete anëtare të BE-së.
“Është fakt largimi i të rinjve nga vendi, jemi vendi i tretë për sa i takon numrit të azilkërkuesve në botë. Ndaj është i nevojshëm zhvillimi ekonomik, rritja e standardit të jetesës dhe perspektiva për punësimin e të rinjve. Evropa është këtu!”, u shpreh Tabaku
Më tej, Gjonaj në fjalën e saj, e vuri theksin se, modeli më i mirë i diskutimeve për të marrë mendim ndryshe, është Korça, si një qytet model i arsimimit, kulturës dhe rinisë.
“Procesi për në BE është i rëndësishëm dhe jetik për vendin tonë, i cili kërkon dhe angazhimin e studentëve për të ndihmuar përshpejtimin e këtij procesi, duke kontribuar drejtpërdrejt, duke dhënë mendime, sugjerime si edhe për të përfshirë sa më shumë të rinj në diskutime te ardhshme, pasi e ardhmja është vetëm drejt Bashkimit Evropian”, vuri në dukje Gjonaj.
Nga ana e saj, ambasadorja e delegacionit të BE në Shqipëri, Christiane Hohmann, vlerësoi pjesëmarrjen e të pranishmëve në këto takime, ku sipas saj i konsideroi të rëndësishme, për marrjen e mendimeve dhe ideve të njerëzve, pasi ato janë një reflektim i mirë për te kuptuar çfarë ka ecur mirë dhe çfarë jo deri tani, në punën e bërë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Po ashtu, edhe ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, Karel Urban, foli mbi procesin e integrimit të Çekisë në BE dhe hapat, vështirësitë që kaloi shteti çek deri në finalizim të procesit qe ishte integrimi në Bashkimin Evropian.
Ai tha se, Shqipëria ka një shembull shumë të mirë, si Çekinë, për të mësuar nga eksperienca e tyre.
Në vazhdim të takimit me fermerët dhe përfaqësues të shoqërisë civile, i cili u zhvillua në një formë bashkëbisedimi, u diskutua mbi problemet e eksporteve, kostot përkatëse, skemën e re të taksimit mbi fermerët, subvencionet, bujqësia si punësim, si i prek procesi i integrimit ata etj. /j.p/
